
Takimi Trump–Putin zgjat më shumë se parashikimet
Takimi dypalësh ndërmjet presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin vazhdon të zhvillohet, pavarësisht se kanë kaluar mbi 90 minuta që nga fillimi i tij, ka bërë të ditur një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Zgjatja e takimit po interpretohet si sinjal se bisedimet po ecin në një drejtim të rëndësishëm, duke marrë parasysh se Trump kishte deklaruar më herët gjatë javës se do t’i mjaftonin vetëm “dy minuta” për të kuptuar qëllimet e Putinit.
Shtëpia e Bardhë nuk kishte dhënë një kohë të saktë për përfundimin e samitit, duke qenë e vetëdijshme se çdo devijim nga plani do të komentohej si sukses apo dështim. Nga ana tjetër, Kremlini kishte lënë të hapur mundësinë që takimi të zgjaste disa orë.
Zgjatja e diskutimeve është gjithashtu e rëndësishme duke marrë parasysh se dy liderët, zakonisht, kanë zhvilluar telefonata që zgjasin nga një orë deri në 90 minuta. Gjithashtu, përkthimi në takime kërkon më shumë kohë, pasi, edhe pse Putin flet anglisht, zakonisht i zhvillon takimet në gjuhën ruse.
Fakti që ende nuk është kaluar në drekën e zgjeruar dypalëshe shihet si një tregues se Presidenti Trump nuk ka ndier ende nevojën të largohet nga bisedimet – një veprim që e kishte paralajmëruar në rast se takimi do të merrte drejtim negativ, shkruan CNN.


