Vrasja e Arlinda Zekajt, Sveçla: Para drejtësisë edhe ata që e dinin rrezikun

Vrasja e Arlinda Zekajt, Sveçla: Para drejtësisë edhe ata që e dinin rrezikun

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të katër personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në vrasjen e Arlinda Zekajt, duke kërkuar që hetimet të vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të rastit.

“Sot u arrestuan edhe katër të dyshuar të përfshirë në vrasjen e Arlinda Zekaj. Hetimet për këtë rast duhet të vazhdojnë në të gjitha dimensionet, deri në zbardhjen e plotë të tij”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka theksuar se mirëpret çdo hetim dhe veprim institucional që ndihmon në sjelljen para drejtësisë jo vetëm të kryesve, por edhe të atyre që mund të kenë kontribuar apo lehtësuar kryerjen e krimit.

“Vrasja e grave nuk mund të ketë asnjë justifikim dhe autorët duhet të marrin dënimin maksimal të paraparë me ligj. Dënimi me burgim të përjetshëm i konfirmuar dje ndaj Naim Murselit për vrasjen e Liridonës është një dëshmi e rëndësisë së ndëshkimit të merituar për krime të tilla”, ka thënë ai, raporton rtk.

Sveçla ka shprehur mbështetjen për institucionet në zbardhjen e çdo rrethane dhe vënien para përgjegjësisë të secilit që ka pasur dijeni për rrezikun me të cilin përballej Arlinda.

“Asnjë përgjegjësi nuk duhet të mbetet pa u hetuar dhe asnjë shkelje pa u trajtuar sipas ligjit”, ka përfunduar Sveçla.

Share This