Sylvinho: Do të jenë 90 minuta shumë të rëndësishme

Sylvinho: Do të jenë 90 minuta shumë të rëndësishme

Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, ka folur në konferencë për media, në prag të përballjes ndaj Polonisë, duke e cilësuar këtë duel si një nga më të rëndësishmit, por jo vendimtar për karrierën e tij.

Tekniku kuqezi pranoi se për muaj të tërë ka menduar për këtë sfidë, që konsiderohet si “finalja” e parë në rrugëtimin drejt Kupës së Botës 2026.

“Prej dy muajsh kam humbur gjumin duke menduar për këtë ndeshje, por nuk e konsideroj si më të rëndësishmen e karrierës sime”, u shpreh Sylvinho.

Ai vlerësoi maksimalisht kundërshtarin dhe trajnerin Jan Urban, duke theksuar cilësitë e skuadrës polake.

“Polonia nuk është një skuadër që të lejon të luash lirshëm. Ka futbollistë shumë cilësorë, që zotërojnë topin dhe kanë eksperiencë në Evropianë dhe Botërorë. Kanë bërë ndeshje të mira, si ndaj Holandës. E respektoj shumë trajnerin Urban, ka ndërtuar një ekip të balancuar si në sulm ashtu edhe në mbrojtje”, deklaroi ai.

Duke folur për rëndësinë e sfidës, ai theksoi se kjo përballje mund të mbetet gjatë në kujtesë.

“Që nga marsi 2023 kemi bërë progres të madh, por edhe Polonia është përmirësuar. Kjo është padyshim një nga ato ndeshje që mbeten në histori”, shtoi trajneri.

Sa i përket formacionit, Sylvinho nuk zbuloi detaje konkrete, por la të kuptohet se do të përshtatë skemën sipas lojtarëve në dispozicion.

“Nuk jam nga ata trajnerë që ankohem për mungesat. Duhet të përshtatemi me lojtarët që kemi dhe mbi bazën e karakteristikave të tyre do të ndërtojmë formacionin”, u shpreh ai.

Në fund, trajneri kuqezi vuri theksin te roli i tifozëve dhe rëndësia e përqendrimit gjatë gjithë ndeshjes.

“Tifozët janë një forcë e madhe për ne. Jam i lumtur që do të jenë në stadium. Këto janë 90 minuta shumë të rëndësishme, ku duhet përqendrim maksimal dhe sa më pak gabime. Në futboll mund të ndodhë gjithçka, por besoj se do të jetë një ndeshje shumë e bukur”, përfundoi Sylvinho.

Share This