Superliga rikthehet sot me duelin Drita-Drenica

Superliga rikthehet sot me duelin Drita-Drenica

Elita e futbollit kosovar rikthehet sot duelin e parë mes Dritës dhe Drenicës, ndeshje që do të luhet në kuadër të xhiros së 20-të.

Kampionia në fuqi, Drita, do ta presë në shtëpi Drenica, në një ndeshje që nis nga ora 13:00.

Skuadra gjilanase vjen në këtë takim pas fitores minimale 1-0 si mysafire ndaj Ferizajt në xhiron e kaluar, ku tre pikët u siguruan falë golit të Kristal Abazajt. Drita synon të vazhdojë serinë pozitive për të mbetur në garë për kreun e tabelës.

Në anën tjetër, Drenica mori një pikë fundjavën e kaluar pas barazimit 1-1 ndaj Llapit dhe do të kërkojë rezultat pozitiv edhe në këtë udhëtim.

Interesant mbetet fakti se në dy përballjet e mëparshme të këtij sezoni ndërmjet këtyre dy skuadrave, Drenica ka dalë fituese. Fillimisht triumfoi 1-0 në Gjilan, ndërsa më pas e mposhti Dritën edhe në Skënderaj me rezultat 3-1.

Aktualisht, Drita renditet në vendin e tretë me 32 pikë, katër më pak se lideri Ballkani dhe një më pak se Prishtina që mban pozitën e dytë. Ndërkohë, Drenica zë vendin e tetë me 21 pikë, një më pak se Llapi që është i shtati.

Përballja pritet të jetë mjaft e luftuar, me objektiva të qarta për të dyja skuadrat – Drita për garën për titull, ndërsa Drenica për t’u larguar nga zona e rrezikut.

Share This