
Super Ronaldo shënon supergol me ‘gërshërë’ në fitoren e Al-Nassrit
Cristiano Ronaldo vazhdon të befasojë botën e futbollit edhe në moshën 40-vjeçare.
Ylli portugez ka realizuar një supergol spektakolar në fitoren e Al-Nassrit ndaj Al-Khaleej, ndeshje e cila u mbyll me rezultat 4-1.
Al-Nassr e kontrolloi takimin, ndërsa Ronaldo vulosi triumfin në minutën e 96-të me një gol të jashtëzakonshëm me “gërshërë”, duke ngritur në këmbë tifozët dhe duke rikthyer debatet për formën e tij të pabesueshme në këtë fazë të karrierës.
Goli erdhi pasi skuadra e tij po kryesonte 3-1, por Ronaldo vendosi të dhurojë një tjetër moment magjik, duke e mbyllur sfidën me një perlë që tashmë po shpërndahet me shpejtësi në rrjetet sociale.
Portugezi vazhdon të jetë lojtari kryesor i Al-Nassrit, duke dëshmuar edhe një herë se mosha për të është vetëm një numër.


