Specialja ua vazhdon paraburgimin Veselit dhe Krasniqit, një ditë para aktgjykimit

Specialja ua vazhdon paraburgimin Veselit dhe Krasniqit, një ditë para aktgjykimit

Një ditë para shpalljes së aktgjykimit në Hagë, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit u është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj.

Vendimin e ka marrë gjyqtari Charles Smith, ndërsa lajmin e ka bërë me dije gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, e cila po raporton nga Haga.

Sipas saj, vendimi është marrë të martën, pasi më 15 korrik ishte marrë vendimi i fundit për vazhdimin e paraburgimit të tyre.

Mujku ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një çështje procedurale, pasi e marta ishte afati i fundit për marrjen e një vendimi të ri për paraburgimin.

Ajo ka theksuar se Smith kishte mundësi që vendimin ta merrte edhe pas shpalljes së aktgjykimit, i cili pritet të shpallet nesër.

Ndërkohë, ende nuk ka afate të tjera për të mësuar nëse do të ketë vendim të ri për paraburgimin e Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit.

Nesër në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Share This