
Shpend Ahmeti reagon pas ndërprerjes së transportit publik: Takonuni, posti vjen e shkon – qytetarët po vuajnë
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas paralajmërimit se nga nesër në kryeqytet nuk do të ketë transport publik, për shkak të bllokimit të mjeteve vetanake të Komunës së Prishtinës – siç pretendon komuna – nga Qeveria në detyrë.
Ahmeti ka kujtuar situata të ngjashme gjatë qeverisjes së tij, duke thënë se edhe ai ishte bllokuar nga Qeveria e LDK-së, por megjithatë kishte arritur të takohej disa herë me Avdullah Hotin për të gjetur zgjidhje.
Ai ka kërkuar nga palët aktuale që të ulen dhe të diskutojnë, qoftë edhe me ndërmjetësim, duke theksuar se qytetarët nuk duhet të mbeten pa shërbime esenciale.
Ahmeti shkruan ndër të tjera:
“Nesër Prishtina ska transport publik. Ditë e dhimbshme. E patëm marrë Trafikun Urban me 1.5 milion borxhe dhe 24 muaj paga të papaguara. Procesi na është zvarritur nga qeveria e udhëhequr nga LDK për shkak të garancionit të sovranitetit që duhej të votohej në Kuvend… Gjatë asaj kohe, pavarësisht kundërshtimeve, kam takuar vetëm Avdullah Hotin nja pesë herë”.
Ish-kryetari thekson se politika është kompromis dhe se ky kompromis duhet të bëhet sa herë që preket interesi i qytetarëve.
“Autobusat janë një, e ditëve në vijim shkollat do të mbesin pa rrymë, çerdhet pa bukë etj. Aman takonu qoftë edhe me ndërmjetësues, sepse janë pika vitale të funksionimit. Çkado që keni nevojë, janë të gatshëm të tjerët të ndihmojmë”.
Në fund të reagimit, Ahmeti porosit se përgjegjësia ndaj qytetarëve është mbi çdo post politik:
“Postet vijnë e shkojnë. Zgjedhje do të ketë edhe të tjera. Por të këqijat ju mbesin në ndërgjegje e në histori. Takonu!”.


