
Sulmet ruse ndaj rrjetit energjetik – Kievi akuzon Moskën për terrorizëm bërthamor, G7 mbështet Ukrainën
Ministrat e energjisë nga Grupi i 7 vendeve me te industrializuara dënuan sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës dhe premtuan mbështetje më të fortë për Kievin ndërsa afrohet dimri.
Në një deklaratë të përbashkët ata nëvizuan se sulmet në sistemin e gazit natyror të Ukrainës po krijonin rreziqe për komunitetin, duke dobësuar infrastrukturën civile dhe duke minuar sigurinë energjetike të popullit ukrainas.
Paralajmërimi erdhi ndërsa Moska intensifikoi sulmet e saj ajrore ndaj objekteve energjitike të Ukrainës, të cilat zyrtarët në Kiev i kanë përshkruar si terror sistematik ndaj sektorit energjetik.
Sulmet kanë ndërprerë vazhdimisht furnizimin me energji elektrike dhe kanë kërcënuar linjat e jashtme të energjisë elektrike që furnizojnë centralet bërthamore të Ukrainës.
Ndërkaq Kievi akuzoi Moskën për terrorizëm bërthamor, pas sulmeve me raketa në nënstacionet që furnizojnë me energji impiantet bërthamore.
“Këto sulme të qëllimshme ndaj objekteve civile të energjisë që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e sigurt të instalimeve bërthamore janë tregues i terrorizmit bërthamor dhe përbëjnë një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare” – tha ministria e jashtme e Ukrainës, duke shtuar se firma shtetërore ruse e energjisë Rosatom mund të ketë qenë e përfshirë në planifikimin e sulmeve të tilla, ndërsa u kërkoi partnerëve ndërkombëtarë të ashpërsojnë sanksionet ndaj Rusisë.
Sakaq ekspertët e energjisë thonë se sulmet përbëjnë një kërcënim në rritje për sigurinë bërthamore globale. /rtsh/


