
Sulme izraelite në qendër të Bejrutit, vriten gjashtë persona
Sulmet ajrore izraelite në Bejrut vranë të paktën gjashtë persona të mërkurën, tha ministria libaneze e shëndetësisë, duke tronditur kryeqytetin libanez ndërsa Izraeli intensifikoi ofensivën e tij kundër grupit Hezbollah të mbështetur nga Irani.
Sulmet ajrore izraelite goditën gjithashtu periferitë jugore të Bejrutit të kontrolluara nga Hezbollahu, sipas Reuters.
Ndërsa shumica e sulmeve izraelite në zonën e Bejrutit kanë qenë në periferitë jugore, Izraeli ka nisur gjithashtu një numër sulmesh në zonat qendrore të kryeqytetit që kur Libani u përfshi në luftën në Lindjen e Mesme më 2 mars.
Një sulm ajror rreth orës 1:30 të mëngjesit sipas orës lokale, shkatërroi disa kate të një blloku apartamentesh në lagjen Zuqaq al-Blat të Bejrutit, ndërsa një sulm në lagjen e afërt Basta shkatërroi të paktën dy kate të një ndërtese.
Më vonë, rreth orës 5:30 të mëngjesit, një sulm më i fuqishëm shkatërroi një ndërtesë të tërë në lagjen Bachoura, një zonë afër qendrës së Bejrutit që u shënjestrua gjithashtu nga Izraeli javën e kaluar, transmeton euronews.al.


