
Ambasada e Kosovës konfirmon vdekjen e dy shtetasve tanë në Vjenë
Një aksident i rëndë në një kantier ndërtimi në Vjenë ka përfunduar me pasoja tragjike, ku kanë humbur jetën disa persona, përfshirë edhe dy shtetas të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Ambasadës së Kosovës në Austri, ngjarja ka ndodhur në distriktin Alsergrund, gjatë zhvillimit të punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke zënë nën rrënoja punëtorë të pranishëm në vendin e punës.
Autoritetet austriake kanë konfirmuar se në mesin e viktimave janë Pajtim Bajrami (1990) dhe Asllan Musliu (1977), të dy shtetas të Kosovës.
Ambasada e Kosovës në Austri ka shprehur dhimbjen e thellë për këtë tragjedi dhe u ka përcjellë ngushëllime familjeve të viktimave. Po ashtu, bëhet e ditur se ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe është e angazhuar për të ofruar mbështetje për familjarët e të ndjerëve, raporton rtk.
Autoritetet austriake janë duke vazhduar hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.


