
Spalletti: Fitorja më e rëndësishme që nga ardhja ime te Juve
Juventusi ka regjistruar një fitore të rëndësishme 1-0 në udhëtim tek Bologna, në ndeshjen e vlefshme për javën e 15-të të Serie A.
Goli i vetëm i takimit u shënua nga Cabal në minutën e 64-t, duke i dhënë tri pikë shumë të vlefshme bardhezinjve.
Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, u shpreh i kënaqur maksimalisht me paraqitjen e skuadrës së tij, duke e cilësuar këtë sukses si më të rëndësishmin që nga ardhja e tij në Torino.
“A është kjo fitorja më e mirë dhe më e rëndësishme që kur kam qenë trajner i Juventusit? Sigurisht që po. U përballëm me një ekip me vlera, forcë dhe entuziazëm të vërtetë. Ata punuan shumë dhe ndërtuan mirë lojën, madje edhe me dhjetë lojtarë krijuan situata të vështira për ne”, deklaroi Spalletti.
Tekniku italian theksoi gjithashtu qasjen kolektive të skuadrës së tij gjatë takimit.
“Skuadra ishte plotësisht në lojë, duke shkuar përtej dueleve individuale që Bologna të detyron zakonisht”, theksoi ai.
Në fund, Spalletti foli edhe për paraqitjen e Opendës, duke vlerësuar karakteristikat e tij taktike.
“Ai është një lloj tjetër lojtari, një futbollist që lidh lojën. Ndonjëherë duket më shumë si sulmues i dytë sesa si qendërsulmues. Ndihet më rehat ndaj ekipeve si Bologna, sepse ka sprint të gjatë, fuqi dhe shpejtësi të pastër. Stili i lojës së kundërshtarit i dha atij një avantazh të vogël”, përfundoi Spalletti.
Me këtë fitore, Juventusi vazhdon të mbetet në garë për objektivat e sezonit, duke treguar stabilitet dhe rritje në lojë.


