Sot Seanca për Qeverinë e re, Kurti pritet të prezantojë kabinetin

Sot Seanca për Qeverinë e re, Kurti pritet të prezantojë kabinetin

Seanca për Qeverinë e re është caktuar të mbahet sot, me fillim nga ora 10:00. Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sot pritet t’ua prezantojë kabinetin qeveritar deputetëve të Kuvendit.

Ligjvënësit do të mblidhen në seancë në orën 10:00. Më 10 tetor u bë konstituimi i legjislaturës së 9-të, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. E gjithë kjo ndodhi tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve. Tashmë vendi ndodhet para një situate tjetër. Mandatari për formimin e qeverisë së re, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sot duhet ta prezantojë para 120 deputetëve kabinetin e ri qeveritar.

Vetëvendosje ka 48 deputetë, ndërsa përkrahje ka edhe nga të paktën shtatë deputetë të komuniteteve pakicë joserbe. Aktualisht nuk ka informacione për një marrëveshje koalicioni.

Ani pse fitoi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Vetëvendosje nuk mori mjaftueshëm vota për të qeverisur e vetme, ndërsa zgjodhi t’i bëjë ofertë Lidhjes Demokratike për bashkëpunim, e kjo e fundit refuzoi. Vetëvendosje tha se nuk bën koalicion me Partinë Demokratike as me Listën Serbe.

Kurti, për ta formuar qeverinë e re, duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve deri nesër. Por nëse kjo nuk ndodh, presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike dhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandatarin e dytë, nëse i dëshmohet se i ka numrat për të formuar qeverinë.

Edhe i dyti ka 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar. Nëse as herën e dytë nuk formohet, presidentja duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen dyzet ditë nga data e shpalljes. /rtk/

Share This