Sonte Shqipëri-San Marino, kuqezinjtë synojnë fitore

Sonte Shqipëri-San Marino, kuqezinjtë synojnë fitore

Kombëtarja e Shqipërisë synon ta mbyllë me fitore ciklin e katër ndeshjeve në Ligën e Kombeve, teksa sonte në stadiumin “Air Albania” përballet me San Marinon.

Pas humbjes në udhëtim ndaj Finlandës, kuqezinjtë kërkojnë të rikthehen te rezultatet pozitive dhe ta mbyllin këtë fazë me një paraqitje bindëse. Përveç tri pikëve, rëndësi të veçantë do të ketë edhe numri i golave të shënuar, pasi golaverazhi mund të jetë vendimtar në përcaktimin e pozitave përfundimtare në grup.

Shqipëria ka mundësinë ta rikthejë veten në krye të grupit, nëse e mposht San Marinon dhe Finlanda nuk fiton ndaj Bjellorusisë. Në këtë rast, kuqezinjtë do të ngjiteshin në kuotën e nëntë pikëve.

Në letër, Shqipëria është favorite e madhe përballë San Marinos, të cilën e mposhti 3:0 në ndeshjen e zhvilluar pak ditë më parë në fushën e kundërshtarit. Megjithatë, vëmendja do të jetë edhe te mënyra se si skuadra e trajnerit italian, Rolando Maran, do ta menaxhojë këtë përballje.

Përzgjedhësi pritet të bëjë disa ndryshime në formacion, duke u dhënë hapësirë edhe futbollistëve të tjerë për të dëshmuar vlerat e tyre.

Ndryshimi i parë është konfirmuar nga vetë Maran. Mario Dajsinani pritet ta nisë ndeshjen si titullar në portë, pasi Etrit Berisha është i skualifikuar për shkak të kartonit të kuq të marrë ndaj Finlandës, ndërsa Alen Sherri mungon për shkak të lëndimit.

Edhe reparti defensiv mund të pësojë ndryshime. Ardian Ismajli, i cili ka pasur ngarkesë të madhe fizike, pritet ta nisë nga stoli, me Marash Kumbullën që shihet si kandidati kryesor për ta zëvendësuar. Kapiteni Berat Gjimshiti dhe Mario Mitaj pritet të jenë pjesë e repartit të mbrojtjes.

Në krahët e mesfushës pritet të aktivizohen Pilo dhe Elseid Hysaj, ndërsa në qendër, përkrah Kristjan Asllanit, mbetet dilemë zgjedhja mes Ylber Ramadanit dhe Qazim Laçit?

Në repartin ofensiv, Ernest Muçi dhe Arbnor Hoxha janë favoritë për të startuar, ndërsa Rey Manaj dhe Mirlind Daku janë në garë për pozitën e sulmuesit kryesor.

Ndërkohë, Myrto Uzuni, Taulant Seferi dhe Anis Mehmeti janë alternativa të tjera për trajnerin Maran, i cili mund t’u japë më shumë minuta në këtë takim.

Për Shqipërinë, objektivi është i qartë: fitorja dhe një paraqitje bindëse, që do t’i rikthente besimin skuadrës pas disfatës në Finlandë. Përballja me San Marinon nis në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.

Share This