
Situata e zjarreve në Shqipëri, 7 vatra aktive, 2 në monitorim
Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë raportuar gjithsej 23 vatra zjarri, ku 7 prej tyre mbeten ende aktive dhe 2 të tjera janë nën monitorim. Disa nga vatrat aktive të zjarrit vijojnë të djegin he sipërfaqe të tëra me bimësi prej ditësh, në të cilat është bërë edhe ndërhyrja me helikopter, por terreni i vështirë dhe era favorizojnë flakët.
Zonat më të prekura nga zjarret janë në bashkitë Dibër, Mat, Bulqizë, Vlorë, Elbasan, Librazhd, Kurbin, Mirditë, Devoll, Korçë, Mallakastër, Fier, Gjirokastër, Selenicë, Vau i Dejës, Malësi e Madhe dhe Lezhë.
Vatrat aktive mbeten në Dibër: Në Parkun Kombëtar Lurë, zona “Liqeni i Luleve”, dy vatra të shkëputura vazhdojnë të jenë aktive.
Mat: Në fshatin Zall Gjoçaj, bashkia Mat, zjarri vijon në terren shumë të thyer. Janë angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Vlorë: Në zonën e “Qafës së Shëngjergjit”, mbi fshatin Dukat, zjarri ka përfshirë edhe kurorat e pishave. Në terren janë FA dhe helikopteri Cougar me 3 misione ajrore.
Elbasan/Librazhd: Në kufirin mes fshatrave Shmil dhe Gurakuq, po digjet një pyll gështenjash.
Lezhë: Në zonën pyjore pranë tunelit të Shkopetit, vazhdon operacioni me ndihmën e helikopterit ushtarak.
Devoll (Korçë): Në fshatin Vernik, zjarri ka përparuar drejt kufirit grek.
Korçë: Në fshatin Dishnicë vijon djegia e një sipërfaqeje me shkurre.
Gjithashtu dy vatra të tjera zjarri janë nën monitorim, konkretisht në Bulqizë: Zona “Livadhi i Peladhisë”, mbi fshatin Krajkë, mbetet nën vëzhgim dhe në Mallakastër: Në fshatin Belishovë, vatra e zjarrit nga fshati Drenovë vazhdon të mbahet nën kontroll.
Në total janë djegur mbi 269 hektarësh dhe rreth 30 rrënjë ullinj. Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 45 automjete zjarrfikëse dhe 440 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë 157 forca nga FA me 21 mjete dhe 2 helikopterë, të cilët kryen 5 misione. Ditën e sotme nga FA në operacionet e shuarjes së zjarreve janë angazhuar 155 forca ushtarake me 21 mjete. /rtsh/


