
Aktakuzë për krime lufte në Vushtrri, ish-pjesëtari i MUP-it serb akuzohet për vrasjen e 71 civilëve
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet R.D., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, R.D., ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), më 22 maj 1999 dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës Sh.D., e cila nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se i pandehuri dyshohet gjithashtu se, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 71 civilëve, si dhe në kryerjen e veprave të tjera penale, përfshirë trajtim çnjerëzor, torturë, plaçkitje dhe dëbim të popullsisë civile shqiptare.
Rasti është dërguar për shqyrtim të mëtejmë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, i pandehuri aktualisht ndodhet nën masën e paraburgimit, raporton ER.
