Vila historike e ”Siemens” në ankand për 31 milionë dollarë

Vila historike e ”Siemens” në ankand për 31 milionë dollarë

Një vilë madhështore e kohës së paraluftës, e ndërtuar për familjen e industrialistit gjerman Werner von Siemens, në periferi të Berlinit, pritet të dalë në ankand javën e ardhshme, ku pritet të arrijë çmimin e jashtëzakonshëm prej 27 milionë eurosh (31,5 milionë dollarë).

Vila, me hapësirë mbi 100 000 metra katrorë tokë, u projektua në vitin 1910 nga arkitekti Otto March si rezidencë për djalin e sipërmarrësit, Carl Friedrich Siemens.

Pas Luftës së Dytë Botërore, ajo u përdor nga ushtria sovjetike si spital ushtarak.

Në rendin e ri të Gjermanisë së pasluftës, qyteti Potsdam shumë pranë Berlinit, u bë pjesë e ish-Gjermanisë Lindore dhe vila u sekuestrua nga autoritetet komuniste, të cilët e kthyen atë në spital për sëmundjet e mushkërive në vitin 1952.

Pas rënies së Murit të Berlinit dhe ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990, pronësia e objektit iu rikthye familjes Siemens, dhe ndërtesa u përdor më pas si spital dhe si shkollë.

Trashëgimtarët e Siemens-it përfundimisht e shitën pasurinë, dhe që atëherë vila ka mbetur bosh.

Vetëm “45 minuta me makinë nga qendra e Berlinit” dhe rreth një orë me transport publik, prona pritet të ngjallë interes të madh nga investitorët, në një kohë kur qiratë dhe çmimet e banesave në kryeqytetin gjerman janë rritur ndjeshëm.

”Megjithatë, blerësit e ardhshëm duhet jo vetëm të fitojnë ankandin në gjykatën e qarkut të Potsdam-it, por edhe të llogarisin një shumë të konsiderueshme për restaurimin e ndërtesës, pasi planet e mëparshme për rikonstruksion dështuan”, sipas zyrtarit lokal Haiko Turk. /atsh/

Share This