Kushner mbërrin në Izrael pas takimit me Hamasin, në fokus plani i Trump për Gazën

Kushner mbërrin në Izrael pas takimit me Hamasin, në fokus plani i Trump për Gazën

I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Jared Kushner, ka mbërritur në Izrael, ku pritet të zhvillojë gjatë ditës së sotme (17 gusht) një takim me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Vizita vjen në një moment të rëndësishëm për përpjekjet diplomatike për zbatimin e planit të paqes në Gaza të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Kushner zhvilloi së fundmi bisedime të rralla me përfaqësues të Hamasit, në kuadër të përpjekjeve për të avancuar planin.

Muajin e kaluar, Bordi i Paqes i Trump njoftoi se kishte arritur një marrëveshje për “çarmatimin e plotë” të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza. Megjithatë, javën e kaluar Izraeli hodhi poshtë planin 15-pikësh të propozuar nga Trump, i cili parashikon gjithashtu tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza dhe rindërtimin e territorit nën një administratë të re civile palestineze.

Tensionet diplomatike u shtuan të dielën (16 gusht), kur tetë vende myslimane dënuan refuzimin e planit nga Izraeli dhe bënë thirrje për avancimin e përpjekjeve për paqe.

Sipas një zyrtari palestinez, Kushner u takua të dielën në Egjipt me një delegacion të Hamasit të udhëhequr nga lideri i ri i grupit, Khalil al-Hayya. Pas takimit, Hamasi u bëri thirrje ndërmjetësve dhe Bordit të Paqes që ta “detyrojnë” Izraelin të pranojë planin dhe të ecë përpara me hapat e parashikuar. /rtsh/

Share This