Shpirti dhe tradita e kryeqytetit në koncertin “Ku ka si Tirona”

Shpirti dhe tradita e kryeqytetit në koncertin “Ku ka si Tirona”

Në skenën e  Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor vjen së shpejti koncerti i titulluar “Ku ka si Tirona”, nderim ndaj shpirtit dhe traditës së kryeqytetit.

Në këtë premierë, të datës 19 janar, tradita do të vijë e gjallë, e interpretuar nga solistë vokalë, valltarë dhe artistë të ftuar që sjellin energjinë e brezave dhe identitetin e një qyteti që nuk ka reshtur kurrë së frymëzuari.

Të ftuarit specialë të këtij aktiviteti janë këngëtarët e mirënjohur: Irma Libohova, Armaldo Kllogjeri dhe Greta Zani, ndërkohë që publiku do të mund të dëgjojë dhe solistët e Ansamblit Popullor: Aranit Hoxha, Iris Bega, Denisa Gjezo, Leke Pecnikaj, Raimond Kllogjeri e Avni Miraka.

Përveç këngëve, koncerti do të përfshijë edhe vallet e Tiranës, me ritmin e elegancën që i karakterizon.

Koncerti “Ku ka si Tirona” shënon jo vetëm një premierë, por edhe nisjen e ciklit “Thesaret e Shpirtit”, një udhëtim artistik që do të pasojë me projekte të tjera të dedikuara pasurisë shpirtërore dhe trashëgimisë kulturore. /atsh/

Share This