Shkëlqen Raphinha, Barcelona turpëron Athletic Bilbaon dhe kalon në finale

Shkëlqen Raphinha, Barcelona turpëron Athletic Bilbaon dhe kalon në finale

Barcelona ka siguruar një vend në finalen e Superkupës së Spanjës, pasi ka mposhtur bindshëm Athletic Bilbaon me rezultat të thellë 5-0 në gjysmëfinalen e zhvilluar në “King Abdullah Sport City Stadium” në Arabinë Saudite, shkruan Rekordi.net.

Ylli brazilian Raphinha ishte protagonisti absolut i ndeshjes, duke realizuar dy gola dhe duke dhënë kontribut vendimtar në dominimin total të katalanasve, që regjistruan fitoren e nëntë radhazi në të gjitha garat.

Athletic e nisi ndeshjen me presion të lartë, duke fituar tre kënde brenda minutave të para, por Barcelona ishte skuadra që krijoi rastet më të pastra. Pedri dhe Fermín López paralajmëruan golin, ndërsa Ferran Torres zhbllokoi rezultatin pas një asistimi të bukur nga Fermín.

Në minutën e 30-të, Raphinha krosoi saktë për Fermín López, i cili shënoi golin e dytë me një goditje precize me të majtën. Vetëm tre minuta më vonë, Roony Bardghji përfitoi nga një gabim i mbrojtjes dhe i portierit Unai Simón për ta çuar rezultatin në 3-0.

Para përfundimit të pjesës së parë, Raphinha realizoi golin më spektakolar të ndeshjes, duke dërguar topin fuqishëm në trekëndësh dhe duke mbyllur praktikisht sfidën që në 45 minutat e para.

Barcelona nuk u ndal as në pjesën e dytë. Pas disa tentativash të pasuksesshme për të larguar topin, Athletic pësoi edhe golin e pestë, sërish nga Raphinha, i cili vulosi një paraqitje brilante personale.

Athletic pati disa tentativa për të shënuar golin e nderit, por Mikel Jauregizar dhe Unai Gómez dështuan përballë portierit Joan García.

Me këtë fitore, Barcelona vazhdon serinë mbresëlënëse në Superkupën e Spanjës, duke shënuar në të gjitha 11 ndeshjet e këtij kompeticioni në formatin aktual dhe duke realizuar dy ose më shumë gola për herën e nëntë. Në anën tjetër, Athletic Club po kalon një periudhë të vështirë, me vetëm një fitore në gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. /rekordi.net

Share This