
Shkelja e privatësisë së fëmijëve, TikTok do i paguajë 400 milionë dollarë SHBA-së
TikTok dhe kompania mëmë ByteDance kanë rënë dakord t’i paguajnë 400 milionë dollarë qeverisë amerikane për të mbyllur një çështje gjyqësore lidhur me shkeljen e privatësisë së fëmijëve.
Padia, e ngritur në vitin 2024 nga Departamenti amerikan i Drejtësisë gjatë administratës së Joe Biden, pretendonte se TikTok kishte mbledhur të dhëna për miliona përdorues nën moshën 13 vjeç, pa marrë pëlqimin e prindërve.
Autoritetet amerikane e konsideruan këtë shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Privatësisë Online të Fëmijëve (COPPA).
Sipas marrëveshjes, TikTok dhe ByteDance do të paguajnë menjëherë 300 milionë dollarë, ndërsa 100 milionë dollarët e mbetur do të paguhen pasi qeveria amerikane të mbyllë një marrëveshje të mëparshme të vitit 2019 me Komisionin Federal të Tregtisë.
Shuma prej 400 milionë dollarësh e bën këtë një nga marrëveshjet më të mëdha në SHBA për shkeljet e privatësisë së fëmijëve. Për krahasim, YouTube pagoi 170 milionë dollarë në vitin 2019, ndërsa Epic Games 275 milionë dollarë në vitin 2022 për çështje të lidhura me COPPA.
Departamenti i Drejtësisë deklaroi se që nga ngritja e padisë, TikTok ka bërë ndryshime të rëndësishme në pronësi, praktikat e privatësisë dhe mënyrën e mbrojtjes së përdoruesve të rinj.
Çështja vjen në një periudhë kur kompanitë e mëdha të teknologjisë po përballen me presion në rritje në SHBA për mënyrën se si trajtojnë të dhënat e fëmijëve dhe sigurinë e tyre në platformat online. /rtsh/

