
SBASHK bën thirrje për mobilizim në Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt
Kryesia e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), pas konsultimeve me strukturat sindikale në mbarë vendin, ka bërë thirrje për mobilizim qytetar dhe sindikal në përkrahje të Marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë!”, i cili do të mbahet më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Prishtinë.
Sipas SBASHK-ut, marshimi organizohet nga platforma “Liria ka Emër” dhe ka karakter tërësisht jo politik, duke përfaqësuar një thirrje qytetare për drejtësi të paanshme dhe për respektimin e sakrificës së çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët tash e më shumë se pesë vjet ndodhen në paraburgim.
Në njoftimin e saj, SBASHK thekson se kjo çështje ka rëndësi të veçantë sindikale dhe historike, pasi një numër i madh i ish-pjesëtarëve të UÇK-së ishin njëkohësisht arsimtarë dhe punëtorë të arsimit, të cilët gjatë regjimit të Millosheviqit u larguan dhunshëm nga vendet e tyre të punës. Gjatë viteve të okupimit, mësimdhënësit ishin shtylla kryesore e mbajtjes gjallë të arsimit në gjuhën shqipe, të dinjitetit kombëtar dhe të shpresës për liri.
SBASHK vlerëson se falë sakrificës së tyre, luftës së drejtë të UÇK-së dhe përkrahjes së aleatëve ndërkombëtarë, sot Kosova është shtet i lirë dhe sovran. Sipas sindikatës, përballë padrejtësive të zgjatura ndaj atyre që kontribuuan për lirinë, heshtja nuk është opsion.
“Dalja në këtë marsh nuk është akt politik, por akt moral dhe qytetar. Është shprehje e ndërgjegjes sonë kolektive dhe vazhdimësi e misionit sindikal për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe të së vërtetës”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.
Sindikatat u bëjnë thirrje të gjithë anëtarëve të tyre që, në mënyrë vullnetare, pa asnjë detyrim dhe larg çdo angazhimi politik, t’i bashkohen Marshit “Drejtësi, jo politikë!”, për të dhënë një mesazh uniteti dhe kërkese për drejtësi të paanshme.
“Pjesëmarrja juaj është zë për drejtësinë, respekt për sakrificën dhe përgjegjësi ndaj historisë sonë”, përfundon thirrja.


