
Rrëzimi i dronëve rusë në Poloni, kryeministri Tusk kërkon aktivizimin e nenit 4 të NATO-s
Pak orë pas rrëzimit të dronëve rusë nga ushtria polake pas shkeljes së hapësirës ajrore në Poloni, kryeministri Donald Tusk ka kërkuar aktivizimin e Nenit 4 të traktatit të NATO-s, i cili u lejon vendeve anëtare të ngrenë një çështje në Këshillin e Atlantikut të Veriut (organi kryesor vendimmarrës politik i NATO-s). Më pas mbahen konsultime për të përcaktuar nëse integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e një vendi anëtar është kërcënuar.
Tusk thekson se ky provokim nga ana e Rusisë është tejet i rrezikshëm, ndërsa shtoi se Moska po kërkon të përballet me gjithë botën e lirë.
“Kjo nuk është vetëm një luftë për ukrainasit. Ky është një përballje që Rusia e ka shpallur kundër të gjithë botës së lirë. Nuk ka dyshim se ky provokim është pakrahasueshëm më i rrezikshëm nga pikëpamja e Polonisë sesa ato të mëparshmet”, deklaroi Tusk para deputetëve në Parlament.
Tusk dha më tej detaje mbi ngjarjen, duke sqaruar se ushtria polake regjistroi 19 ndërhyrje me dronë në hapësirën ajrore të vendit gjatë natës.
Tusk shtoi se 3-4 dronë u rrëzuan nga avionë polakë dhe të NATO-s, ndërsa sqaroi se një numër i konsiderueshëm dronësh fluturuan në vend nga Bjellorusia. “Droni i fundit që u rrëzua ishte në orën 06:45 sipas kohës lokale (05:45 BST)”, sqaroi ai.
Polonia është një nga 32 anëtarët e aleancës së sigurisë NATO (Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut).
Një nga parimet e saj thelbësore është se një sulm kundër një ose më shumë anëtarëve do të konsiderohet një sulm kundër të gjithëve.
Të gjitha shtetet anëtare – përfshirë SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar – riafirmuan angazhimin e tyre të palëkundur ndaj mbrojtjes kolektive në samitin e NATO-s në qershor. /rtsh/


