Dronët rus mbi hapësirën ajrore polake, Kallas dhe Von der Leyen: Shkelje e pashembullt, ishte e qëllimshme

Dronët rus mbi hapësirën ajrore polake, Kallas dhe Von der Leyen: Shkelje e pashembullt, ishte e qëllimshme

Rrëzimi i më shumë se 10 dronëve rus nga ushtria polake, ka nxitur reagimin e ndërkombëtarëve të cilat kanë dënuar veprimin e Moskës, duke e konsideruar të qëllimshëm dhe duke këmbëngulur në rritjen e sanksioneve ndaj saj.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas e cilëson ngjarjen si shkeljen më serioze të hapësirës ajrore evropiane. Sipas saj, kalimi i dronëve rus mbi hapësirën polake, ka qenë i qëllimshëm.

Mbrëmë në Poloni, pamë shkeljen më serioze të hapësirës ajrore evropiane nga Rusia që nga fillimi i luftës, dhe indikacionet sugjerojnë se ishte e qëllimshme, jo aksidentale.  BE-ja qëndron në solidaritet të plotë me Poloninë”, shkroi Kallas në rrjetin social X.

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen thekson gjithashtu se Rusia ka kryer shkeljen më të pashembullt të hapësirës ajrore të Polonisë, ndërsa vë theksin te rritja e sanksioneve ndaj Moskës.

“Sot, kemi parë një shkelje të pamatur dhe të pashembullt të hapësirës ajrore të Polonisë dhe Evropës nga më shumë se 10 dronë rusë Shahed. Evropa qëndron në solidaritet të plotë me Poloninë. Evropa është në solidaritet të plotë me Poloninë.

Evropa është në një luftë. Një luftë për lirinë tonë dhe aftësinë tonë për të përcaktuar vetë fatin tonë. Ky duhet të jetë Momenti i Pavarësisë së Evropës. Një moment që mund ta shfrytëzojmë nëse jemi të bashkuar”, shkruan Von der Leyen.

Vendet baltike dhe nordike kanë shprehur gjithashtu shqetësimin mbi situatën, ndërsa janë solidarizuar me Poloninë.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson tha se shkelja e hapësirës ajrore polake nga Rusia është e papranueshme.

Lufta ruse e agresionit kundër Ukrainës përbën një kërcënim për sigurinë e të gjithë Evropës. Polonia ka të drejtë të mbrojë hapësirën e saj ajrore. Ne i japim mbështetjen tonë të plotë Polonisë, si një aleate e NATO-s dhe anëtare e BE-së. Suedia dhe Polonia qëndrojnë të bashkuara në mbështetjen tonë për Ukrainën“, tha ai.

Presidenti letonez Edgars Rinkēvičs gjithashtu shprehu mbështetjen dhe solidaritetin e tij të plotë me Poloninë dhe aleatët e saj. “Agresioni rus në Ukrainë na prek drejtpërdrejt dhe duhet të merren masa të përshtatshme”, tha ai.

Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, e quajti gjithashtu veprimin e Rusisë “thellësisht shqetësues dhe tërësisht të papranueshëm“, duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur të Norvegjisë për Poloninë dhe angazhimin e përbashkët për sigurinë evropiane. /rtsh/

Share This