Rrezik për zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.  Huthët e Jemenit lëshojnë raketa drejt Izraelit

Rrezik për zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme. Huthët e Jemenit lëshojnë raketa drejt Izraelit

Huthët e Jemenit, një grup i lidhur ngushtë me Iranin, lëshuan të shtunën raketa drejt Izraelit, në sulmin e tyre të parë që nga nisja e luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit më 28 shkurt.

Ky veprim rrezikon të zgjerojë dhe të zgjasë konfliktin, i cili tashmë ka hyrë në javën e pestë.

Grupi deklaroi se operacionet e tyre do të vazhdojnë derisa të përfundojë “agresioni” në të gjitha frontet.

Autoritetet izraelite thanë se një raketë e lëshuar nga Jemeni u kap nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

Lufta, e cila nisi me sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit, është përhapur në të gjithë Lindjen e Mesme, duke shkaktuar mijëra viktima dhe ndërprerjen më të madhe ndonjëherë në furnizimin me energji. Kjo ka goditur rëndë ekonominë globale dhe ka nxitur frikën e inflacionit.

Huthët kanë paralajmëruar se janë të gatshëm të veprojnë nëse përshkallëzimi kundër Iranit dhe aleatëve të tij, të cilët ata i quajnë “Boshti i Rezistencës”, vazhdon. Grupi ka treguar aftësi për të goditur objektiva shumë larg Jemenit dhe për të prishur rrugët e transportit detar rreth Gadishullit Arabik dhe Detit të Kuq, siç ndodhi pas 7 tetorit 2023, kur ata vepruan në mbështetje të Hamasit në Gaza.

Nëse Huthët hapin një front të ri në konflikt, një objektiv i dukshëm do të ishte Ngushtica Bab Al-Mandab, pranë brigjeve të Jemenit.

Kjo është një pikë strategjike që kontrollon trafikun detar drejt Kanalit të Suezit.

Situata bëhet edhe më e ndjeshme pasi Irani ka mbyllur në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit, një tjetër korridor kritik për furnizimin global me energji.

Sipas medias ndërkombëtare ky zhvillim tregon rrezikun e hapjes së fronteve të reja në Lindjen e Mesme, duke e bërë konfliktin edhe më kompleks dhe me pasoja të gjera për stabilitetin rajonal dhe ekonominë botërore. /rtsh/

Share This