
Real Madridi mposht Levanten në ‘Bernabeu’, Guler protagonist
Real Madridi ka regjistruar fitore 2-0 ndaj Levantes në ndeshjen e parë të xhiros në La Liga, duke siguruar fitoren e tretë radhazi ndaj këtij kundërshtari dhe duke reaguar pas zhgënjimit të mesjavës në Kupë, shkruan Rekordi.net.
Takimi në “Santiago Bernabéu” nisi në një atmosferë të pazakontë, me tifozët që shprehën pakënaqësinë pas eliminimit nga Albacete Balompie.
Edhe pjesa e parë u karakterizua nga lojë e zbehtë dhe raste të pakta, ku Karl Etta Eyong rrezikoi që në minutën e parë për Levanten, ndërsa për Realin Kylian Mbappé dhe Eduardo Camavinga nuk arritën të finalizonin rastet e krijuara. Levante u shfaq e rrezikshme nga goditjet standarde, por pa arritur të mposhtë Thibaut Courtois.
Ndryshimi erdhi në pjesën e dytë, pas zëvendësimeve të bëra nga trajneri i Realit. Arda Guler u shndërrua menjëherë në faktor vendimtar, duke krijuar rrezik konstant për mbrojtjen mysafire. Mesfushori turk asistoi në aksionin që solli penalltinë për Realin, të cilën Mbappe e shndërroi në gol për epërsinë 1-0.
Vetëm shtatë minuta më vonë, Guler ishte sërish protagonist, duke ekzekutuar një goditje këndi perfekte, të cilën Raul Asencio e konkretizoi me kokë në cepin e sipërm të portës për 2-0. Real Madridi vazhdoi të dominojë, duke krijuar edhe raste të tjera, por pa ndryshuar rezultatin.
Me këtë fitore, e para pas tri ndeshjeve konkurruese, “Los Blancos” afrohen në vetëm një pikë larg Barcelonës në tabelë, edhe pse katalanasit kanë ende për të zhvilluar ndeshjen e tyre.
Ndërkohë, Levante pëson humbjen e parë pas katër ndeshjeve dhe mbetet në vendin e 19-të në renditje. /Rekordi.net


