Ramiz Lladrovci: “Bedri Hamza nuk është vetëm – është lideri i duhur për PDK-në”

Ramiz Lladrovci: “Bedri Hamza nuk është vetëm – është lideri i duhur për PDK-në”

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur mbështetje të fuqishme për kryetarin e ri të PDK-së, Bedri Hamzën, duke thënë se vendimi për emërimin e tij është “më se i qëlluar”.

Përmes një opinioni të publikuar në rrjetet sociale, Lladrovci thekson se takimet e ditëve të fundit me figura të rëndësishme dhe opinione të brendshme në parti dëshmojnë se Hamza po gëzon mbështetje të gjerë.

“Në takimet e ditëve të fundit me personalitetet me vlera të dëshmuara, komunikimin me miqtë dhe në veçanti opinionet e brendshme që po e dominojnë PDK-në, emërimi i Bedri Hamzës del të jetë më se i qëlluar”, ka shkruar ai.

Lladrovci shprehet se pret që lidershipi i Hamzës të ndikojë fuqishëm në “frymën e fitores”, duke filluar nga selia e partisë, bashkëpunimi i mundshëm me partnerë politikë dhe shmangia e përgjegjësive të fushatave të humbura.

“Një gjë është e sigurt, Bedri Hamza nuk është vetëm!”, thekson ai.

Në opinionin e tij, Lladrovci kritikon ata që i quan “pionierë-veteranë” brenda partisë, të cilët sipas tij presin pozita e nuk marrin përgjegjësi për dështimet. Ai u bën thirrje që të hapin rrugë për ndryshime, duke mos e penguar ngritjen e PDK-së.

Ai shton se ata që gabimet e tyre i fajësojnë në Drenicë po e dëmtojnë partinë dhe se askush nuk ka të drejtë ta cenojë subjektin politik të “themeluar nga heronjtë e luftës dhe paqes”.

Lladrovci përfundon se në këtë fazë “gjuha e vetme duhet të jetë gjuha e kampionit”, duke besuar se Hamza është lideri i duhur për të drejtuar PDK-në drejt fitoreve të reja.

Share This