Belgjika akuzon BE-në për “minimizim” të shqetësimeve rreth përdorimit të aseteve ruse të ngrira: “Rrezikojmë falimentim nëse Rusia na padit”

Belgjika akuzon BE-në për “minimizim” të shqetësimeve rreth përdorimit të aseteve ruse të ngrira: “Rrezikojmë falimentim nëse Rusia na padit”

Belgjika ka kritikuar ashpër Bashkimin Europian, duke e akuzuar se po neglizhon shqetësimet e saj lidhur me planin për të përdorur asetet e ngrira ruse në territorin evropian për financimin e Ukrainës.

Ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot, deklaroi se vendi i tij po kërkon një alternativë ndaj këtij mekanizmi, duke propozuar që BE-ja të marrë hua në tregjet ndërkombëtare në vend se të preken fondet e bllokuara ruse.

Sipas Prévot, përdorimi i këtyre aseteve – shumica e të cilave ndodhen në Belgjikë – mund të ketë pasoja të rënda ligjore dhe ekonomike për vendin. Ai paralajmëroi se një padi e mundshme nga Rusia kundër BE-së do të godiste drejtpërdrejt Belgjikën.

“Po të na çojë Rusia në gjyq, ka çdo shans për të fituar. Belgjika nuk do të ishte në gjendje të shlyente 200 miliardë euro, ekuivalentin e buxhetit federal të një viti. Kjo do të thoshte falimentim për vendin”, tha ministri belg.

Shumica e shteteve anëtare të BE-së mbështesin propozimin që asetet e ngrira ruse të përdoren si garanci për financimin e Ukrainës, ndërsa disa vende kanë akuzuar Brukselin se po bllokon procesin për shkak të kundërshtimit belg.

Sipas planit të mbështetur edhe nga kancelari gjerman Friedrich Merz, rreth 140 miliardë euro të aseteve shtetërore ruse të ngrira në Belgjikë do të shndërroheshin në një “kredi dëmshpërblimi” për Ukrainën, e cila do të aktivizohej që nga viti i ardhshëm.

Liderët e BE-së pritet të votojnë propozimin në një samit që do të mbahet këtë muaj në Bruksel. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse vendet anëtare do të arrijnë një kompromis, pasi Belgjika vazhdon të kundërshtojë fuqishëm planin aktual.

Share This