Ramadani: Krenar me Dritën, tani fokusi te Superliga

Ramadani: Krenar me Dritën, tani fokusi te Superliga

Pas eliminimit nga NK Celje në fazën “play-off” të UEFA Europa Conference League, trajneri i FC Drita, Zekirija Ramadani, ka folur për rrugëtimin evropian të skuadrës së tij dhe objektivat që e presin ekipin në vazhdim.

“Jam krenar që jam trajner i Dritës dhe i këtyre futbollistëve. Mburremi me rezultatet që i kemi arritur. Dua që ky sukses të harrohet, e të arrihet një më i madh, qoftë nga ne, qoftë nga klubet tjera kosovare”, është shprehur Ramadani.

Ai theksoi se tashmë vëmendja duhet të përqendrohet te garat vendore.

“Ne duhet t’i përvjelim mëngët, tani realiteti ynë është Superliga. Aty do të vazhdojmë fuqishëm. Superliga është më e fortë tani”, deklaroi ai.

Edhe pse Drita nuk arriti të sigurojë kualifikimin tutje, paraqitjet në dy sfidat ndaj Celjes dëshmuan përkushtim dhe karakter, duke përmbyllur një aventurë evropiane që la gjurmë pozitive për klubin dhe futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare.

Share This