
Arsim Bajrami ofron kandidaturën e tij për president të Kosovës
Profesori universitar dhe njëri ndër hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami, ka shpallur kandidaturën e tij si president i Kosovës.
“Shpreh gatishmërinë time për të vënë veten në dispozicion të institucioneve dhe të spektrit politik dhe të qytetarëve të vendit si njëri prej kandidatëve konsensual për President të Republikës së Kosovës, me përkushtim të plotë ndaj unitetit kombëtar, forcimit të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe përmbylljes të procesit të shtetndërtimit, në shërbim të qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në facebook.
RTK shkruan se, Bajrami në një letër të hapur ndaj të gjithë krerëve të subjekteve politike, ka kërkuar unitet politik konsensual për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Ai ka listuar arsyet, që sipas tij, janë bazë që e shtynë drejt kandidaturës.
“Duke u bazuar në përvojën time shumëvjeçare në të gjitha fazat kyçe të shtetndërtimit të Kosovës që nga viti 1990, përfshirë rezistencën institucionale, ndërtimin e rendit kushtetues dhe proceset vendimtare të tranzicionit politik; duke qenë njëri ndër hartuesit e të gjitha akteve themelore kushtetuese të Kosovës, si dhe duke dhënë kontributin tim politik, juridik dhe institucional gjatë luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në funksion të realizimit të së drejtës së popullit të Kosovës për liri, vetëvendosje dhe shtet të pavarur…”, ka shkruar ai ndër arsyet, duke përmendur gjithashtu përvojën ndërkombëtare për lirinë e Kosovës në Rambuje dhe për pavarësinë e saj në procesin e bisedimeve të Vjenës; njohjen e sistemit kushtetues e juridik dhe mekanizmat institucional.
Bajrami më tej ka shkruar se vlerëson qëndrimin dinjitoz, parimor dhe shtetformues të profesorit Murat Jashari dhe të familjes Jashari, për të cilët tha se në frymën e përgjegjësisë kombëtare dhe të respektit për sakrificën historike të familjes heroike dëshmuan edhe njëherë vigjilencen e lartë kombëtare.
“Ju, shpreh gatishmërinë time për angazhim të vazhdueshëm institucional, akademik dhe publik në mbrojtje të karakterit çlirimtar dhe të drejtë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe, kundër çdo përpjekjeje për demonizimin e saj apo për rishikimin selektiv e diskriminues të historisë nga Dhomat e Specializuara, në kundërshtim me parimet themelore të drejtësisë dhe të së vërtetës historike”, përfundon Bajrami. /rtsh/


