
Presidentja Osmani pranon letër falënderimi nga Presidenti Trump: Mikja e vërtetë e Shteteve të Bashkuara
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në të cilën ai e falënderon për miqësinë, përkushtimin dhe lidershipin e saj të guximshëm.
Në letër, Presidenti Trump vlerëson gatishmërinë e Kosovës për të bashkëpunuar me SHBA-të, duke përmendur vendimin për të pranuar shtetas nga vende të treta si dëshmi të fuqisë dhe dhembshurisë së popullit të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respekt, vlera demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese,” shkruan ai, duke shtuar se përkushtimi i presidentes Osmani për këtë partneritet nuk ka kaluar pa u vërejtur.
Trump shprehu dëshirën për të thelluar bashkëpunimin në vitet e ardhshme dhe e falënderoi Osmanin për qëndrimin e saj si “mikja e vërtetë e Shteteve të Bashkuara”.
Në fund të letrës, Presidenti amerikan i përcolli Presidentes Osmani edhe urimet më të mira nga Zonja e Parë, Melania Trump.


