Presidenti Ademi nga Meksika: Besoj fuqishëm se Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e ngjarjeve të tilla madhore të futbollit botëror

Presidenti Ademi nga Meksika: Besoj fuqishëm se Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e ngjarjeve të tilla madhore të futbollit botëror

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, po qëndron në Meksikë me ftesë të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, ku do të ndjekë nga afër ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 ndërmjet Meksikës dhe Afrikës së Jugut, shkruan Rekordi.net.

Ademi ka bërë të ditur se, përveç pjesëmarrjes në ceremoninë dhe ndeshjen hapëse të Botërorit, do të marrë pjesë edhe në Samitin e FIFA-s, i cili do të mbahet në Majami.

Ai theksoi se ndodhet në një qytet me simbolikë të veçantë për futbollin kosovar, duke kujtuar se pikërisht para dhjetë vitesh Kosova u pranua në familjen botërore të futbollit.

Me këtë rast, kreu i FFK-së ka përgëzuar Kombëtaren e Kosovës në konkurrencën e femrave për kualifikimin në fazën “Play-Off” të Botërorit 2027, duke e cilësuar këtë si një sukses që e bën krenar gjithë vendin.

“Besoj fuqishëm se me punën, përkushtimin dhe talentin që kanë djemtë dhe vajzat tona, edhe Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e ngjarjeve të tilla madhore të futbollit botëror”, ka deklaruar Ademi.

Ai ka vlerësuar se strategjia dhe projektet zhvillimore të FFK-së po zbatohen me sukses dhe tashmë po japin rezultatet e para konkrete, si në futbollin e femrave ashtu edhe në zhvillimin e talenteve të rinj.

Sipas Ademit, Akademia e FIFA-s në Prishtinë, e para e këtij lloji në Ballkan, po dëshmon rëndësinë e investimit në të rinjtë, duke u ofruar talenteve kosovare formim profesional nën mbikëqyrjen e ekspertëve të FIFA-s dhe stafit teknik të FFK-së.

“Ky është një tregues i qartë se puna e vazhdueshme dhe investimi në gjeneratat e reja po ndërtojnë themele të forta për të ardhmen e futbollit të Kosovës”, ka theksuar presidenti i FFK-së.

Postimi i Ademit:

Në qytetin me simbolikë të veçantë për futbollin tonë, aty ku para dhjetë vjetësh Kosova u pranua në familjen botërore të futbollit.

Me ftesë të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, ndodhem në Meksikë për ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026, Meksika-Afrika e Jugut. Gjithashtu, do të jem edhe pjesë e Samitit të FIFA-s që do të mbahet në Majami.

Nga këtu edhe një herë i përgëzoj vashat tona dardane për kualifikimin në “Play-Off” të Botërorit 2027, një sukses që na bën krenarë të gjithëve.

Besoj fuqishëm se me punën, përkushtimin dhe talentin që kanë djemtë dhe vajzat tona, edhe Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë e ngjarjeve të tilla madhore të futbollit botëror.

Jam shumë i lumtur që strategjia dhe projektet zhvillimore të FFK-së po implementohen me sukses dhe tashmë po japin rezultatet e para konkrete si në futbollin e femrave, edhe në zhvillimin e talenteve të rinj.

Akademia e FIFA-s në Prishtinë, e para e këtij lloji në Ballkan, po jep frytet e saj, ku talentet tona po marrin formimin më të mirë profesional nën udhëheqjen e ekspertit të FIFA-s dhe stafit tonë teknik. Kjo është dëshmi se investimi në të rinjtë dhe puna e vazhdueshme po ndërtojnë themele të forta për të ardhmen e futbollit të Kosovës. /Rekordi.net

Share This