
Haxhiu takon Presidenten e Bullgarisë, flasin për anëtarësimin e Kosovës në KiE
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu zhvilloi takim me Presidenten e Bullgarisë, Iliana Iotova, në margjinat e Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Sofje.
Haxhiu e uroi Presidenten Iotova për marrjen e detyrës dhe shprehu mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë ndaj shtetndërtimit, subjektivitetit ndërkombëtar dhe rrugës euroatlantike të Kosovës.
Në takim u diskutua për hapat e ardhshëm të Kosovës në procesin e integrimit evropian, për mbështetjen në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe për rëndësinë e një perspektive më të qartë të Kosovës drejt NATO-s.
“Haxhiu theksoi po ashtu interesimin për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe arsimit, si dhe për forcimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve të dy vendeve”.

