
Policia apelon për kujdes shkaku i mjegullës
Policia e Kosovës ka lëshuar një njoftim për drejtuesit e automjeteve, duke i paralajmëruar për rrezikun që paraqet mjegulla në rrugë gjatë ditëve të fundit. Sipas njoftimit, prezenca e mjegullës është më e shpeshtë në zona me lartësi të ulët dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt në dukshmëri, duke rritur rrezikun e aksidenteve.
Policia u bën thirrje shoferëve që të përdorin dritat e mjegullës dhe të shmangin përdorimin e dritave të gjata, pasi ato reflektojnë dhe zvogëlojnë dukshmërinë. Përveç kësaj, shoferët këshillohen të ulin shpejtësinë, të mbajnë distancë të mjaftueshme dhe të qëndrojnë në krahun e djathtë të rrugës.
Në njoftim theksohet se mjegulla mund të krijojë iluzione optike që i bëjnë shoferët të mendojnë se po lëvizin më ngadalë nga sa janë realisht. Për këtë arsye, Policia apelon për më shumë vigjilencë dhe kujdes në trafik, raporton rtk.


