LDK e gatshme për fushatën zgjedhore, Abdixhiku: Kosova meriton qeverisje të drejtë

LDK e gatshme për fushatën zgjedhore, Abdixhiku: Kosova meriton qeverisje të drejtë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia që ai drejton është e përgatitur për fushatën elektorale dhe për mobilizim të plotë politik në të gjithë vendin.

Përmes një postimi, Abdixhiku bëri të ditur se sonte në selinë qendrore të LDK-së u mbajt një takim pune me kryetarët e degëve dhe kryetarët e komunave nga radhët e partisë. Ai e përshkroi takimin si energjik dhe të mbushur me përkushtim drejt fushatës zgjedhore.

“Me ekipet tona, veprimtarët tanë dhe kryetarët tanë, do të jemi në çdo qytet, fshat e lagje për thirrjen tonë të madhe se Kosova meriton qeverisje të drejtë, institucione që funksionojnë dhe politikë të matur që i shërben qytetarit”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai shtoi se strukturat e LDK-së janë të lidhura dhe të koordinuara për ta çuar fushatën “deri në fund me dinjitet, me punë dhe me rezultat”.

Sipas tij, brenda partisë ekziston një ndjenjë e fortë gadishmërie dhe motivimi, ku secili është i vetëdijshëm për peshën e momentit politik.

“Kosova ka nevojë për normalitet, për stabilitet, për zhvillim. Dhe mbi të gjitha, për shpresë”, theksoi Abdixhiku.

Në përmbyllje të mesazhit të tij, kryetari i LDK-së theksoi unitetin e partisë në këtë proces zgjedhor, duke nënvizuar se beteja elektorale ka nisur si ekip dhe do të përfundojë po ashtu si ekip, me thirrjen: “Shpresë ka. Zgjidheni atë!”

Share This