
Plani i paqes së SHBA për Ukrainën – Kallas: Duhet të përfshihet BE dhe Kievi që të funksionojë
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha të enjten se Kievi dhe Evropa duhet të përfshihen në çdo plan paqeje për Ukrainën, ndërsa mediat ndërkombëtare raportuan se Shtetet e Bashkuara kanë përpiluar një propozim për t’i dhënë fund luftës mes dy vendeve, që duket se mbështet kërkesat e Rusisë.
“Që çdo plan të funksionojë, ka nevojë për mbështetjen e ukrainasve dhe evropianëve. Duhet ta kuptojmë se në këtë luftë ka një agresor dhe një viktimë. Dhe nuk kemi dëgjuar për ndonjë lëshim nga pala ruse.” – u tha Kallas gazetarëve në Bruksel.
Lidhur me raportimet se SHBA ka hartuar një plan paqeje, që mes të tjerash kërkon lëshime të territoriale nga Kievi për Rusinë, krydiplomatja e BE-së u shpreh se, për aq sa ajo ka dijeni, nuk kishte pasur asnjë angazhim të tillë nga Ukraina apo mbështetësit e saj evropianë. “Ne mirëpresim të gjitha përpjekjet kuptimplote për t’i dhënë fund kësaj lufte, por siç e kemi thënë edhe më parë, ajo duhet të jetë e drejtë dhe e qëndrueshme”- deklaroi Kallas.
“Nëse Rusia donte vërtet paqe, mund të kishte rënë dakord për një armëpushim pa kushte që më parë, por ende po vazhdojmë të shohim bombardime të civilëve” – shtoi ajo.
Ndërsa ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, këmbënguli se paqja në Ukrainë nuk mund të nënkuptojë dorëzim për Kievin.
“Nevojiten diskutime që të arrijmë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Ato duhet të fillojnë me një armëpushim në vijën e frontit, që lejon diskutime të rregullta mbi çështjen e territoreve dhe sigurisë”- tha ai.
Sakaq në Kiev kanë mbërritur zyrtarë të lartë Pentagonit për të diskutuar mbi përpjekjet për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Delegacioni që udhëhiqet nga Sekretari i ushtrisë amerikane, Dan Driscoll do të zhvillojë takime me presidentin Zelensky. /rtsh/


