Plakja e popullatës dhe nevojat e tregut, Italia do të japë rreth 500 mijë viza pune përgjatë tri viteve të ardhshme

Plakja e popullatës dhe nevojat e tregut, Italia do të japë rreth 500 mijë viza pune përgjatë tri viteve të ardhshme

Italia pritet të lëshojë rreth 500 mijë viza për punëtorë të huaj nga vendet jashtë BE-së nga viti 2026 deri në 2028.

Dekreti i qeverisë Meloni synon të zgjerojë kanalet e emigrimit të ligjshëm, si dhe t’i përgjigjet kërkesës së tregut për forcë punëtore.

164.850 punëtorë të huaj pritet të lejohen deri në fund të vitit të ardhshëm. Ata do u shtohen rreth 450 mijë personave me leje për të punuar në Itali, që kabineti i kryeministres Giorgia Meloni vendosi në tri vitet e para të mandatit të saj, që nga viti 2023.

“Këto kuota janë përcaktuar duke marrë parasysh nevojat e shprehura nga partnerët sociale dhe aplikimet aktuale për leje pune të dërguara në vitet e mëparshme, duke qenë një program që i përgjigjet nevojave të bizneseve dhe është realist gjithashtu,” thuhet në deklaratën e qeverisë.

Popullata italiane po vjen duke u moshuar gjithnjë e më shumë, ndërsa lindshmëria mbetet në nivele të ulëta, duke e bërë të domosdoshme tërheqjen e forcës së huaj punëtore në ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës. Në vitin 2024, Italia regjistroi 281 mijë vdekje më shumë sesa lindje, ndërsa numri i banorëve vendas u ul me 37 mijë në 58,93 milionë.

“Qeveria do të vazhdojë me vendosmëri që të lejojë kanalet e ligjshme të emigrimit në dobi të sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë tonë,” tha të dielën ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi.

Sipas institutit Osservatorio Conti Pubblici, Italisë i duhen të paktën 10 milionë emigrantë deri në vitin 2025 për të luftuar shpopullimin dhe për të mbajtur nivelet aktuale demografike. /Reuters

Share This