Hykmete Bajrami: “Kosova ka humbur 131 milionë euro nga energjia në veri gjatë qeverisjes Kurti”

Hykmete Bajrami: “Kosova ka humbur 131 milionë euro nga energjia në veri gjatë qeverisjes Kurti”

Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka akuzuar Qeverinë Kurti për humbje të mëdha financiare nga energjia e shpenzuar në komunat veriore, duke deklaruar se vetëm për periudhën 2021–2023 vendi ka humbur rreth 131 milionë euro.

Sipas saj, humbjet e energjisë në veri janë rritur deri në 15 fish, nga 4 milionë euro në vitin 2020, në 63 milionë euro në vitin 2022.

“131 milionë euro janë humbjet e energjisë në veri (2021–2023). Gjatë qeverisjes së Kurtit humbjet e energjisë për komunat veriore janë rritë deri në 15 fish: nga 4 milionë euro në vitin 2020 në 63 milionë euro në vitin 2022. Kriptovalutat dhe laboratorët e drogës kanë lulëzu nën qeverisjen e juaj. Populli thotë: nëse është hangër pitja, ka mbetë tepsia”, tha Bajrami.

Ajo theksoi se këto të dhëna bazohen në raportet financiare dhe raportin e auditorit të pavarur për KOSTT-in, duke nënvizuar se në komente ka dorëzuar të gjitha faqet dhe referencat zyrtare.

Bajrami ka publikuar edhe bilancin vjetor të humbjeve të energjisë në veri sipas dokumenteve zyrtare:

2020: 4 milionë euro

2021: 41 milionë euro

2022: 63 milionë euro

2023: 27 milionë euro

Sipas saj, këto shifra tregojnë qartë barrën financiare që qytetarët e Kosovës kanë paguar gjatë qeverisjes aktuale.

“Ne nuk vizatojmë grafe në zyret e partisë. Prej ditës së parë kemi folur me fakte. Nuk po flasim për centa, por për qindra milionë euro të paguara nga xhepat e qytetarëve për energjinë e konsumuar në veri”, shtoi deputetja e LDK-së.

LDK ka kërkuar sqarime nga qeveria për rritjen drastike të humbjeve dhe për përgjegjësinë institucionale në menaxhimin e sistemit energjetik në veri të vendit.

Share This