Përurohet shtatorja e heroit Afrim Zhitia në Llugë

Përurohet shtatorja e heroit Afrim Zhitia në Llugë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e kujtesës kolektive dhe mënyrave institucionale për të ruajtur dhe nderuar figurat më të rëndësishme kombëtare dhe dëshmorët e lirisë.

Sipas tij, shoqëritë më përparimtare dhe shtetet më të zhvilluara në botë kanë politika të ndryshme kujtese për ngjarjet me peshë historike dhe personazhet kyçe që kanë shënuar rrugëtimin kombëtar.

Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë së përkujtimit të dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, Kurti theksoi se një nga sfidat kryesore është gjetja e mënyrave më fisnike dhe efikase për mirëmbajtjen e kujtesës kolektive, duke e kaluar atë nga një brez në tjetrin me mirënjohje, nderim dhe respekt ndaj të gjithë të rënëve për liri.

Ai kujtoi takimin e vitit të kaluar, më 2 nëntor 2024, në Prishtinë, në 35-vjetorin e rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, ku u zhvillua një akademi përkujtimore në qytetin ku ata rezistuan të armatosur deri në vdekje në vitin 1989.

Kurti përmendi jetën dhe angazhimin e Afrim Zhitisë, i cili filloi rrugëtimin politik në moshën 16-vjeçare gjatë demonstratave të vitit 1981 dhe që pas katër vitesh burg, u rrit si një aktivist i përkushtuar për çlirimin e atdheut dhe barazi e drejtësi.

Kryeministri nënvizoi se kujtesa dhe nderimi ndaj dëshmorëve janë detyrë e brezave për breza, që të ruhet historia dhe sakrifica e tyre si pjesë e identitetit dhe zhvillimit kombëtar. /rtk/

Share This