
PDK Drenas akuzon Ramiz Lladrovcin për përçarje dhe dëmtim të zyreve të partisë
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Drenas ka reaguar pas largimit të Ramiz Lladrovcit nga gara për zgjedhjet e 12 tetorit, duke e akuzuar atë për veprime përçarëse dhe provokime politike.
Në një deklaratë zyrtare, PDK Drenas thotë se vendosja e partisë në zyra të reja ka ardhur si pasojë e “qëllimeve përçarëse” të Lladrovcit dhe pretendon se njerëzit e tij kanë demoluar zyrat e PDK-së në komunë.
“PDK e ka përkrahur z. Lladrovci në tri gara elektorale, por PDK është më e madhe se çdo individ dhe kur i nënshtrohesh garës, duhet ta pranosh rezultatin. Themeluesi i iniciativës së ndarjes nga PDK-ja e ka votuar vetë propozimin që kryesia qendrore të vendosë për kandidatët e komunave me ushtrues detyre. E ndërroi qëndrimin sepse nuk po e kapërdin dot rezultatin”, thuhet në reagim.
Partia thekson se që nga paslufta nuk ka pasur probleme të tilla politike në Drenas dhe e cilëson këtë situatë si të paprecedent.

