
Trump nën kritika pas pezullimit të sanksioneve të reja ndaj Rusisë
Anëtarë të Kongresit amerikan, si nga Partia Demokratike, ashtu edhe nga Partia Republikane, kanë dënuar vendimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të pezulluar vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë.
Senatori republikan Thom Tillis, nga Karolina e Veriut, e cilësoi vendimin si të papërgjegjshëm dhe përtej çdo kufiri.
“Është e pajustifikueshme që kjo administratë po i lëshon pe një diktatori rus, i cili pushtoi në mënyrë të paligjshme Ukrainën dhe vret civilë të pafajshëm çdo ditë”, deklaroi ai.
Sipas Tillis, nëse Trump dëshiron vërtet të ulë çmimet e energjisë, ai mund ta bëjë këtë duke zgjidhur konfliktin e tij me Iranin, në vend që t’i bëjë një favor presidentit rus, Vladimir Putin.
Edhe përfaqësuesi republikan Don Bacon deklaroi se Trump po e zgjat luftën dhe nuk po i jep fund asaj.
Presidenti amerikan nënshkroi një paketë sanksionesh ndaj Rusisë pothuajse një muaj më parë.
Ajo mbante emrin e senatorit Lindsey Graham, një aleat i afërt i Trumpit, i cili, vdiq në korrik.
Graham kishte qenë një nga nxitësit kryesorë të këtij ligji, i cili synonte të shtonte presionin ndaj Kremlinit përmes masave të reja ndëshkuese me ndikim të gjerë, përfshirë tarifa doganore.
Pas vdekjes së tij, ligji mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Kongresit nga të dyja partitë.
Vetëm pak orë përpara se tarifat të hynin në fuqi, Trump i pezulloi ato të premten, duke e justifikuar vendimin me “interesin kombëtar” të SHBA-së.
Edhe demokratët e kritikuan ashpër këtë vendim.
Senatori demokrat Richard Blumenthal, i cili kishte mbështetur fuqimisht ligjin, shkroi në X se pezullimi nuk kishte të bënte aspak me sigurinë kombëtare të SHBA-së, por synonte vetëm të fitonte simpatinë e Putinit.
Blumenthal tha se Trump po vepronte kundër shumicës së amerikanëve, si dhe kundër aleatëve evropianë të Uashingtonit. /atsh/

