Pas Busquets, edhe Jordi Alba i jep fund karrierës: “Futbolli më ka dhënë gjithçka”

Pas Busquets, edhe Jordi Alba i jep fund karrierës: “Futbolli më ka dhënë gjithçka”

Një tjetër legjendë e Barcelonës dhe lojtar i Inter Miamit ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij futbollistike.

Pas Sergio Busquets, këtë herë është Jordi Alba ai që ka njoftuar tërheqjen nga futbolli aktiv.

Mbrojtësi i njohur spanjoll e bëri publik lajmin përmes një videoje emocionale në rrjetet sociale, ku falënderoi të gjithë ata që e kanë shoqëruar gjatë rrugëtimit të tij të lavdishëm.

“E mora këtë vendim me bindje dhe lumturi, sepse ndiej se kam ecur në këtë rrugë me gjithë pasionin që munda të mbledh. Tani është koha të nis një rrugë të re. Futbolli më ka dhënë gjithçka”, tha Alba.

Ai shprehu mirënjohje për të gjitha klubet ku ka luajtur, duke përfshirë Atletico Centro Hospitalense, Cornellà, Nàstic de Tarragona, Valencia, Barcelonën, Kombëtaren e Spanjës dhe Inter Miamin.

“Faleminderit ekipeve, trajnerëve, shokëve të ekipit, stafit dhe rivalëve të mi. Ju më mësuat se fanella jo vetëm ndihet, por edhe jetohet. Faleminderit babait tim, familjes sime, faleminderit të gjithëve”, shtoi ai.

Jordi Alba, 36 vjeç, u bë një nga mbrojtësit e majtë më të suksesshëm të dekadës së fundit, duke fituar gjithçka me Barcelonën dhe Kombëtaren e Spanjës, përfshirë edhe Kampionatin Evropian të vitit 2012.

Largimi i tij shënon fundin e një epoke për futbollin spanjoll, pas tërheqjes së njëpasnjëshme të bashkëlojtarëve legjendarë si Busquets dhe Piqué.

Share This