Paga mesatare arrin në 90.119 lekë, shënohet rritje me 9.6%

Paga mesatare arrin në 90.119 lekë, shënohet rritje me 9.6%

Instituti i Statistikave (INSTAT) ka publikuar të dhënat zyrtare mbi statistikat e pagave për tremujorin e parë të vitit 2026, duke regjistruar një rritje të ndjeshme të nivelit të të ardhurave nga punësimi në vend. Sipas raportit, i cili mbështetet në të dhënat administrative nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, tregu i punës paraqet një trend rritës si në pagën mesatare, ashtu edhe në numrin e të punësuarve me pagë minimale.

Në dokumentin e përgatitur nga institucioni theksohet:

“Në tremujorin e parë të vitit 2026, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri ishte 90.119 lekë. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, paga mesatare mujore bruto është rritur me 9,6 %.”

Diferencat sipas aktiviteteve ekonomike

Analiza sektoriale tregon se aktivitetet financiare dhe teknologjike vijojnë të kryesojnë nivelin e kompensimit në treg. Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit regjistrojnë pagën mesatare më të lartë prej 157.434 lekë, të ndjekura nga Informacioni dhe Komunikacioni me 131.747 lekë.

Nga ana tjetër, dinamika e rritjes midis sektorëve paraqitet e ndryshme. Raporti specifikon:

“Rritja më e lartë e pagës mesatare është shënuar në aktivitetin “Ndërtim”, prej 22,2 %, ndërsa rritja më e ulët është shënuar në aktivitetin “Arte, argëtim dhe çlodhje, si dhe aktivitete të tjera shërbimi”, prej 5,5 %.”

Niveli i pagave sipas profesioneve

Të dhënat mbi grup-profesionet (ISCO-08) konfirmojnë se Menaxherët, Ligjvënësit dhe Drejtorët ekzekutivë janë kategoria më e paguar, me një mesatare prej 136.213 lekësh, ndjekur nga Specialistët me arsim të lartë me 116.074 lekë.

Pavarësisht kësaj, ritmet më të larta të rritjes së pagave i përkasin një kategorie tjetër në tregun e punës. Rritja më e madhe prej 15,7 % është shënuar te “Zejtarë, artizanë dhe profesione të lidhura me to”, e ndjekur ngushtë nga “Punëtorët (Profesione elementare)” me një rritje prej 15,3 %.

Ndikimi i rritjes së pagës minimale

Një element thelbësor i evidentuar nga treguesit e tremujorit të parë është ndryshimi në shpërndarjen e të punësuarve. Zbatimi i vendimit të Këshillit të Ministrave më 1 janar 2026, i cili rriti pagën minimale nga 40.000 në 50.000 lekë, ka dhënë një efekt të drejtpërdrejtë.

Lidhur me këtë fenomen, INSTAT sqaron:

“Shpërndarja e të punësuarve paraqitet më e përqendruar në skajet e intervaleve së pagave, me rritje si të punonjësve me pagë minimale ashtu edhe të atyre me paga të larta.”

Metodologjia e INSTAT saktëson se në llogaritjen e këtyre treguesve përfshihen vetëm të punësuarit kontribues që kanë punuar 18 ditë ose më shumë gjatë muajit referencë. Paga mesatare mujore bruto nuk i nënshtrohet zbritjes së kontributeve personale dhe tatimit mbi të ardhurat, por përfshin shtesat mbi pagë dhe shpërblimet e ndryshme. /rtsh/

Share This