
“The Independent”: Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në kurimin e kancerit
“Anthropic”, kompania amerikane që krijoi chatbot-in “Claude”, ka nisur procedurat për të hedhur aksionet e saj në bursën amerikane, raportoi “The Independent”.
Në dokumentet e paraqitura, kompania shprehet se inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në trajtimin e sëmundjeve, si kanceri, dhe të nxisë rritjen ekonomike në mbarë botën.
Kompania ka dorëzuar dokumentet përkatëse pranë Komisionit Amerikan të Letrave me Vlerë dhe Bursave, institucionit që mbikëqyr tregjet financiare në SHBA, për të mundësuar shitjen e aksioneve të saj në bursë.
Hyrja e “Anthropic” në bursë pritet të jetë një nga ofertat më të mëdha dhe më të vlerësuara në tregjet financiare botërore.
Megjithatë, kompania nuk ka bërë ende të ditur se sa aksione planifikon të shesë dhe me çfarë çmimi.
Në dokumentin e paraqitur për investitorët, “Anthropic” ka përfshirë të dhëna financiare, planet për zgjerimin e aktivitetit, si dhe mundësitë dhe rreziqet që duhet të marrin parasysh, ata që dëshirojnë të investojnë në kompani.
“Anthropic” e cilësoi inteligjencën artificiale si një nga teknologjitë më të rëndësishme në historinë e njerëzimit, duke argumentuar se ajo mund të përmirësojë jetën e njerëzve në shumë drejtime.
Sipas kompanisë, inteligjenca artificiale mund të përshpejtojë kërkimet shkencore dhe të ndihmojë në gjetjen e trajtimeve, madje edhe në kurimin e sëmundjeve që kanë prekur njerëzimin prej mijëra vjetësh.
Në këtë grup përfshihen kanceri, sëmundja e Alzheimerit, sëmundjet e zemrës, sëmundjet e rralla gjenetike dhe sëmundjet kryesore infektive.
Dokumenti thekson gjithashtu se inteligjenca artificiale, mund të ndihmojë në rritjen ekonomike, duke u mundësuar kompanive dhe punonjësve të kryejnë punën më shpejt dhe me më pak burime, përmes automatizimit të detyrave.
Megjithatë, “Anthropic” paralajmëron edhe për rreziqet që lidhen me këtë teknologji.
Një pjesë e konsiderueshme e dokumentit u kushtohet pasojave të mundshme negative të inteligjencës artificiale për shoqërinë.
Kompania pranon se përdorimi i saj mund të çojë në humbjen e vendeve të punës, të shfrytëzohet për qëllime të dëmshme ose të shkaktojë pasoja të rënda.
Dokumenti përmend gjithashtu rreziqe që, në skenarët më ekstremë, mund të kërcënojnë vetë ekzistencën e njerëzimit.
Të dhënat financiare tregojnë se të ardhurat e “Anthropic” po rriten me shpejtësi, por kompania ende nuk ka arritur të sigurojë fitim.
Në gjysmën e parë të vitit 2026, “Anthropic” raportoi një humbje neto prej 80,7 miliardë dollarësh, krahasuar me humbjen prej 13 miliardë dollarësh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /atsh/

