VV-ja ia hedh fajin “pushtetit të vjetër” për vrasjet: Asnjë emër, asnjë fakt konkret, asnjë përgjegjësi për qeverisjen

VV-ja ia hedh fajin “pushtetit të vjetër” për vrasjet: Asnjë emër, asnjë fakt konkret, asnjë përgjegjësi për qeverisjen

Në reagimin e saj për vrasjen tragjike të Arlinda Zekajt në Pejë, VV-ja ka drejtuar akuza ndaj pushteteve të kaluara, duke pretenduar se lidhjet e tyre me individë të privilegjuar dhe pandëshkueshmëria kanë lënë pasoja të rënda në shoqëri.

Megjithatë, partia në pushtet nuk ka dhënë asnjë emër, rast konkret apo fakt që do t’i mbështeste këto pretendime. Nuk ka shpjeguar as çfarë lidhjeje kanë akuzat e saj me vrasjen e Arlindës.

“Këto nuk janë dukuri të shkëputura. Kultura e të fortit, privilegjet e fituara përmes lidhjeve me pushtetin e vjetër nga një krah dhe historia e pandëshkueshmërisë e mbetur për rreth 2 dekada kanë lënë pasoja të rënda në shoqërinë tonë.”

Kështu thuhet në reagimin e publikuar në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook.

Në reagimin rreth rastit tragjik, VV-ja e ka zhvendosur diskutimin te trashëgimia e qeverive të mëparshme.

Partia e Kurtit nuk përmend përgjegjësinë e mundshme politike të drejtuesve aktualë të institucioneve dhe as nuk kërkon llogaridhënie nga ndonjë zyrtar i caktuar.

Përkundrazi, partia ka zgjedhur të lavdërojë qeverisjen e saj për përpjekjet në fuqizimin ekonomik të grave.

“Qeverisja jonë ka punuar dhe do të punojë pandalshëm për ta ndihmuar të ngrihet ekonomikisht çdo familje, çdo grua.”

VV-ja ka theksuar se që nga fillimi i vitit janë raportuar 17 viktima të vrasjeve në Kosovë, prej tyre tetë gra dhe nëntë burra.

Partia ka dënuar vrasjen e Arlindës, duke shprehur ngushëllime për familjen e saj dhe duke përmendur se një djalë 12-vjeçar ka mbetur pa nënë.

Sipas VV-së, vrasjet e grave lidhen me pushtetin patriarkal, kontrollin mbi gratë dhe mohimin e lirisë së tyre.

Në reagim përmenden edhe komunat, qendrat për punë sociale, Policia, Prokuroria dhe gjykatat, të cilave u kërkohet të parandalojnë, mbrojnë, hetojnë dhe ndëshkojnë.

Megjithatë, partia nuk tregon se cilat institucione kanë dështuar konkretisht në rastin e Arlindës dhe çfarë përgjegjësie duhet të mbajnë drejtuesit e tyre.

“Çdo kërcënim i shpërfillur mund të përfundojë në tragjedi”, thuhet në fund të reagimit të VV-së, pa u sqaruar se cilat paralajmërime janë trajtuar nga institucionet në rastin e Arlindës dhe çfarë veprimesh janë ndërmarrë për mbrojtjen e saj.

Share This