
Osmani vizitoi trenjakët që lindën natën e ndërrimit të motmoteve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi dje spitalin ku kanë lindur trenjakët e parë të vitit, me ftesë të nënës së re, Fjolla Ibrahimi Starabaja.
Osmani përmes një postimi në Facebook, shkroi për rëndësinë e familjes si vlerë të fortë të shoqërisë dhe ka vlerësuar përkushtimin e personelit mjekësor në kujdesin ndaj foshnjave dhe nënave.
“Në atë dhomë kishte dashuri, forcë dhe përkushtim. Përveç trenjakëve, aty ndodheshin edhe dy foshnja të tjera, nënat e të cilave kishin lindur për herë të tretë, duke dëshmuar se familja mbetet vlera më e fortë e shoqërisë sonë. Trenjakët po rriten të rrethuar nga dashuria e pakushtëzuar e nënës dhe familjes, si dhe nga përkujdesja maksimale dhe profesionale e personelit mjekësor, të cilët çdo ditë japin më të mirën për jetët më të reja mes nesh”, shkroi ajo, njofton Klankosova.tv.
E para e shtetit ka shkruar po ashtu se dashuria dhe kujdesi i pakushtëzuar i familjes, së bashku me profesionalizmin e personelit mjekësor, janë faktor kyç për rritjen e fëmijëve dhe zhvillimin e shoqërisë.
“Çdo lindje është një investim për të ardhmen tonë të përbashkët. Prandaj, është me rëndësi që mbështetja për nënat, fëmijët dhe familjet të vazhdojë. Uroj që këta fëmijë të rriten me shëndet, dashuri dhe siguri, e që çdo nënë të ndihet e mbështetur, e respektuar dhe e vlerësuar”, shkroi Osmani.


