
Osmani takon raportuesin evropian Riho Terras, kërkon heqjen urgjente të masave të BE-së
Presidenca e Kosovës ka njoftuar për takimin e sotëm mes Presidentes Vjosa Osmani dhe Raportuesit Evropian për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ku u diskutua për zhvillimet e fundit politike dhe proceset integruese të vendit.
Presidentja Osmani ka theksuar para Terras se zgjedhjet lokale në Kosovë u zhvilluan sipas standardeve demokratike, me proces të rregullt dhe transferim të pushtetit në mënyrë të qetë dhe paqësore.
Në njoftimin e Presidencës thuhet:
“Presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet lokale u zhvilluan në mënyrë plotësisht të lirë, të qetë dhe demokratike dhe se transferimi i pushtetit u bë në mënyrë paqësore.”
Kritika ndaj masave të BE-së: “Të pashpjegueshme dhe të padrejta”
Osmani ka ritheksuar qëndrimin e saj se vazhdimi i masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës është i paarsyeshëm.
Ajo ka kërkuar mbështetjen e Terras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave.
“Ato dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit, teksa Kosova ka përmbushur çdo kërkesë të paraqitur nga partnerët evropianë.”
Sipas Presidentes, anulimi i masave do të ishte një sinjal i fortë për qytetarët dhe një shtytje pozitive për reformat që vendi po ndërmerr.
Osmani kërkon përshpejtim të procesit të anëtarësimit në BE
Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka theksuar se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE duhet të procedohet sa më parë dhe se vendi duhet vlerësuar mbi bazën e meritave.
Ajo ka prezantuar para raportuesit Terras të dhëna të institucioneve ndërkombëtare që, sipas saj, e pozicionojnë Kosovën në nivele të larta të performancës në fusha kyçe.
Takimi Osmani–Terras vjen në një moment kyç për marrëdhëniet Kosovë–BE, me Prishtinën që kërkon heqjen e masave dhe avancimin e procesit të integrimit evropian.


