Osmani takohet me ambasadorin britanik: Diskutohet bashkëpunimi strategjik mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar

Osmani takohet me ambasadorin britanik: Diskutohet bashkëpunimi strategjik mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Sipas njoftimit nga Presidenca, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend, si dhe për forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës dhe popullit të saj, duke theksuar se kjo mbështetje ka qenë e rëndësishme në proceset shtetformuese dhe të konsolidimit institucional.

“Presidentja gjithashtu diskutoi për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë tranzicionale, përfshirë mbështetjen për Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, si një institucion kyç për dokumentimin e së vërtetës dhe promovimin e drejtësisë”, thuhet në njoftim nga Presidenca.

Osmani ka rikkonfirmuar përkushtimin e Kosovës për avancimin e bashkëpunimit bilateral me Mbretërinë e Bashkuar në fusha si siguria, mbrojtja, ekonomia, tregtia dhe të drejtat e njeriut.

Gjithashtu, në takim është diskutuar për përgatitjet për shtyrjen përpara të iniciativës së presidentes për lidhjen e një marrëveshjeje strategjike ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, siç është biseduar më herët gjatë vizitës së Sekretarit të Jashtëm britanik në Prishtinë.

Share This