
Raporti i Gallup, Ambasada Kosovare: Dëshmi e partneritetit dhe miqësisë
Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara ka reaguar pas publikimit të raportit më të fundit të Gallup, duke thënë se Kosova shënon miratimin relativ neto më të lartë për SHBA-në në mbarë botën.
Përmes një postimi në platformën X, Ambasada e Kosovës në Uashington ka shkruar se kjo është një tjetër dëshmi e partneritetit të fortë dhe miqësisë së qëndrueshme ndërmjet dy vendeve.
“Sipas raportit më të fundit të Gallup, Kosova shënon miratimin relativ neto më të lartë për Shtetet e Bashkuara në mbarë botën. Një tjetër dëshmi e partneritetit të fortë dhe miqësisë së qëndrueshme ndërmjet dy vendeve tona”, thuhet në postimin e Ambasadës, raporton rtk.
Ndërkaq, në raportin e publikuar nga Gallup thuhet se Kosova renditet ndër vendet dhe territoret që anojnë më së shumti nga SHBA-ja në aspektin e opinionit publik.
Sipas raportit, vendet dhe territoret më të afërta me SHBA-në, të cilat kanë miratim të fortë neto për SHBA-në dhe që afërsisht pasqyron mosmiratimin neto për Kinën, përfshijnë Kosovën, Izraelin, Poloninë, Shqipërinë dhe Filipinet.
Raporti i Gallup po ashtu thekson se Kina e ka tejkaluar SHBA-në në vlerësimet globale të miratimit për vitin 2025, me 36 për qind miratim për udhëheqjen e Kinës, krahasuar me 31 për qind për SHBA-në.


