
Osmani pritet nga Rama: Thellim i bashkëpunimit Kosovë–Shqipëri dhe koordinim strategjik në rajon
Presidentja e Vjosa Osmani priti sot në takim Kryeministrin e Edi Rama, ku biseduan për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe zhvillimet aktuale në rajon.
Sipas Presidencës së Kosovës, në qendër të diskutimeve ishte koordinimi politik dhe institucional ndërmjet dy vendeve, si dhe bashkëpunimi në fushën e politikës së jashtme për avancimin e interesave strategjike të Kosovës dhe Shqipërisë.
Osmani dhe Rama theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon dhe vlerësuan rolin konstruktiv të dy shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë dialogun dhe bashkëpunimin.
Gjatë takimit u diskutua edhe për angazhimin në kuadër të Bordit të Paqes, ku u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit në iniciativa globale që promovojnë sigurinë, dialogun dhe vlerat demokratike. U theksua se Kosova dhe Shqipëria janë të nderuara me ftesën nga Donald Trump për pjesëmarrje në këtë bord, si shenjë e partneritetit me aleatët strategjikë.
Dy liderët riafirmuan vullnetin për thellimin e bashkëpunimit vëllazëror, duke përfshirë partneritetin ekonomik, projektet zhvillimore të përbashkëta dhe krijimin e mundësive konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.
Presidentja Osmani përgëzoi Kryeministrin Rama për progresin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë si një zhvillim që forcon perspektivën evropiane të rajonit.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama uroi Presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë, duke rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Shqipërisë për shtetin e Kosovës dhe aspiratat e tij euroatlantike.


