
Maqedonci i përgjigjet gjeneralit serb: FSK nuk është kërcënim, por garantuese e sigurisë për të gjithë
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka reaguar pas deklaratave të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjeneralit Milan Mojsilović, i cili e paraqiti Forcën e Sigurisë së Kosovës si kërcënim për komunitetin serb në Kosovë.
Maqedonci i cilësoi këto deklarata si të pavërteta dhe të papërgjegjshme, duke theksuar se ato bien ndesh me realitetin në terren dhe me karakterin profesional të FSK-së.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale, e ndërtuar sipas standardeve më të larta demokratike. Mandati i saj është dhe mbetet mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe garantimi i sigurisë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim”, deklaroi ai.
Ministri theksoi se fuqizimi dhe modernizimi i Forca e Sigurisë së Kosovës përbën një të drejtë legjitime të çdo shteti sovran dhe nuk ka karakter kërcënues ndaj askujt.
“Fuqizimi dhe modernizimi i Ushtrisë së Kosovës nuk ka karakter kërcënues ndaj askujt. Ai është domosdoshmëri për garantimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në vend dhe në rajon”, theksoi Maqedonci.
Ai apeloi që të shmangen narrativat që, sipas tij, synojnë frikësimin e komuniteteve ose justifikimin e politikave destabilizuese.
“Narrativat që synojnë frikësimin e komuniteteve ose justifikimin e politikave destabilizuese nuk kontribuojnë në paqe dhe stabilitet. Përgjegjësia për sigurinë kërkon maturi, respekt për realitetin dhe përkushtim ndaj paqes”, u shpreh ministri.
Në fund, Maqedonci ritheksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe ndërtimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Kosova ndërton ushtri për mbrojtje. Kosova ndërton siguri për të gjithë”, përfundoi ai.


